Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia në lidhje me takimin mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se mbështet plotësisht thirrjen e Trump për të treguar respekt ndaj liderit hungarez, pasi sipas tij, qëndrimet e Orbán në mbrojtje të familjes dhe vlerave tradicionale duhet të shërbejnë si model edhe për Shqipërinë.
“Ashtu si ai, edhe ne duhet të jemi të vendosur për të mbrojtur themelet e shoqërisë tonë. Ligj Anti-Familje i votuar nga Rama dhe kukullat e tij në Kuvendin e Shqipërisë përbën një sulm të hapur ndaj familjes dhe kombit tonë,” thekson kreu i Partisë së Lirisë.
Postimi i Ilir Metës
E vlerësoj dhe e mbështes plotësisht thirrjen e Presidentit të SHBA, Donald Trump për të treguar respekt ndaj liderit të Hungarisë, Viktor Orban.
Një zë i fortë në mbrojtje të sovranitetit, identitetit kombëtar dhe vlerave tradicionale shoqërore, Orban përfaqëson një shembull frymëzimi të jashtëzakonshëm, për vendin e tij dhe mbarë kontinentin, por edhe për popullin tonë për qëndrimin e prerë në mbrojtje të vlerave të familjes, veçanërisht me miratimin e ligjit të propozuar prej tij në Parlamentin hungarez, në prill të këtij viti, ku njihen vetëm dy gjini dhe figura e shenjtë e nënës dhe babait.
