Prokuroria e Posaçme arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. Ndaj Pirro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv.
Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. Por në dosjen që ka “qepur” SPAK me aferat e Metës dhe Kryemadhit përmenden edhe emra politikanësh, oligarkësh, biznesmenësh dhe zyrtarësh të lartë. Mbetet për t’u parë nëse Altin Dumani do të marrë ndonjë tjetër të pandehur në vijim.
Agron Çela në dosjen e Metës
E nisim me deputetin Agron Çela, dikur përfaqësues i LSI dhe i afërt me Ilir Metën. Ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 170 mijë euro nga kompania DIA, e cila me ndërhyrjen e Metës mblidhte borxhet e CEZ. “Ndërsa në lidhje me shoqërinë BTT, me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë, hetimi ka provuar se kjo shumë ka patur si përfitues fundor shoqërinë “Xhenis” sh.p.k., me ortak shtetasin Agron Çela, i cili në vitin 2013 zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si përfaqësues i Partisë “Lëvizja Socialiste për Integrim”. Hetimi ka provuar gjithashtu se përftimi i këtyre parave, është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo edhe BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm për shoqërinë DIA“, thuhet në dosjen e SPAK-ut.
Anëtarët e bordit të ERE
Po ashtu në dosje janë të përfshirë dhe anëtarët e bordit të ERE në atë kohë. Në SPAK ka shkuar një intervistë e Elvis Matajt, e zhvilluar nga gazetari Artan Hoxha. Mataj dikur ka qenë kreu i LRI dhe bashkëpunëtor i Ilir Metës. Por Mataj ishte dhe Drejtor Ekzekutiv i kompanisë DIA dhe ishte ai i cili zbuloi pazaret e Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt. Ai tregon se Ismailaj premtoi 500 mijë euro për anëtarët e ERE, teksa i besuari i Metës aty, Petrit Ahmeti do merrte 150 mln lekë të vjetra. Petrit Ahmeti, në atë kohë ishte zyrtar i lartë në këtë ent publik, ndërsa më 13 tetor 2013, Ilir Meta e emëroi kryetar të ERE. “Ndër të tjera, Elvis Mataj jep të dhëna se Kastrioti i kishte premtuar edhe Petrit Ahmetit dhe anëtarëve të Bordit të ERE shumën prej 500 mijë Euro, me të cilën do të sigurohej ulja e çmimit të energjisë që CEZ blinte nga KESH. Në vijim të dëshmisë, Elvis Mataj deklaron para gazetarit se Kastriot Ismailaj i premtoi Petrit Ahmetit se do t’i paguante 15 milionë lekë, shumë e cila iu pagua pjesërisht (faqe 9 e vijim e të PV. datë 23 Shtator 2021)”, theksohet në dosje.
Oligarku Samir Mane
Në dosje del në shumë episode oligarku Samir Mane, i cili është përfshirë në afera me çiftin Meta-Kryemadhi. “Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills,” shkruhet në masën e sigurisë të SPAK, një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien,” thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.”
Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes. Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në vendim, rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që biznesmeni ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut – në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror. Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era.
Analisti Baton Haxhiu
Në dosjen e SPAK shfaqet dhe Baton Haxhiu. Atë e implikon në këtë rast Samir Mane, i cili në vitin 2007, bleu një banesë nga ish-presidenti Meta në Qerret. Meta e kishte blerë banesën në vitin 2002 për 60 mijë USD dhe ia shiti Manes në vitin 2007 për 300 mijë euro në cash. Shuma e fituar nga shitja e banesës nuk u deklarua nga ish-presidenti në ILDKPKI në vitet 2007-2009. E njëjta banesë u rishit në vitin 2021 nga Mane gazetarit Baton Haxhiu për 80 mijë euro.
