Kryeministri Edi Rama po nxit një klimë tensioni mes shqiptarëve, duke i kthyer bizneset dhe pensionistët në kundërshtarë të njëri-tjetrit, strategji kjo që synon të mbulojë krizën ekonomike që ka mbërthyer vendin. Prej disa ditësh kryeministri Rama ka nisur konsultimet me pensionistët, por edhe bizneset, të cilëve iu ka dërguar një mesazh të qartë, se duhet të marrë fund evazioni fiskal me pagat. Grabitje që i bëhet buxhetit të shtetit, e quan Rama mosdeklarimin real të pagave, duke thënë se kjo mbi të gjitha ndikon në xhepin dhe jetesën e pensionistëve.
Por në vend që të merret me problemet strukturore dhe të thella që prekin shoqërinë, Rama ka zgjedhur të akuzojë bizneset për evazion fiskal, duke i bërë ato përgjegjëse për vështirësitë e pensionistëve. Kjo qasja manipulatore e tij synon të shpërqendrojë vëmendjen nga “gropa e zezë” e koncesioneve, investimeve strategjike dhe tenderëve që i ka dhënë oligarkëve, duke krijuar kështu një narrativë tërheqëse për të mbuluar dështimet e tij. Me fjalë të bukura dhe retorikë të fuqishme, Rama përpiqet të justifikojë politikat e tij që kanë favorizuar grupe të caktuara, ndërsa masat e tij për shkurtime dhe reduktime ndihmojnë vetëm ata që tashmë janë të privilegjuar. Kjo fushatë e tij anti-biznes po përdor pensionistët si mburojë, duke i vendosur ata në qendër të një konflikti që ai vetë e nxit, pasi të moshuarit gjatë takimeve i kanë dalë në krah dhe kanë sulmuar sipërmarrësit njëjtë si ai.
Rama duket se harron se shkaqet e vërteta të varfërisë dhe pasigurisë financiare në Shqipëri janë të lidhura ngushtë me korrupsionin dhe keqmenaxhimin e buxhetit publik. Duke e kthyer vëmendjen nga oligarkët dhe kontratat e dyshimta që vazhdojnë të shkaktojnë humbje kolosale për ekonominë, ai po i jep justifikim vetes për të vazhduar një politikë të dëmshme. Ky është një model qeverisjeje që dështoi të sjellë një zgjidhje afatgjatë për qytetarët, por që e përdor krimin dhe ndarjen si mënyrë për të mbajtur pushtetin. Në këtë mënyrë, Rama po bën një shkelje të rëndë etike, duke injoruar përgjegjësitë e tij dhe duke shfrytëzuar situatën për interesa personale dhe politike.
Reagon Rama
Ndërkohë dje në një takim me pensionistët e qytetit të Durrësit Kryeministri Edi Rama, ju kthye edhe një herë nën deklarimit të pagave, ku tha se dosjet e bizneseve të identifikuara nga Administrata Tatimore për evazion nuk hetohen nga prokuroritë e rretheve, sidomos ajo në Tiranë. Ai theksoi se dosjet miliona euro të evazionit fiskale të bizneseve, flenë në Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Ndërkohë me aksionin e nisur kundër deklarimit jo real të pagave si shkak që po frenon rritjen e fortë të pensioneve, kryeministri Rama theksoi se nuk do të ndalojnë deri tek ndjekja penale për të gjithë bizneset që nuk reflektojnë. Nga ana tjetër, kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër dje në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ai po përpiqet që të vendosë sipërmarrësit kundër qytetarëve, për të fshehur dështimin e tij përballë pensionistëve.
Basha thekson ndër të tjera se “dështimet e qeverisë në menaxhimin e skemës së pensioneve janë të dukshme”, duke vënë në dukje se “paratë e pensioneve po mbahen peng nga investitorë strategjikë dhe projekte korruptive”, ndërsa pensionistët përballen me çmime të larta për ilaçet. Sipas tij, “Edi Rama flet si drejtor azili, duke ua hedhur fajin të tjerëve”, ndërkohë që “kishte në dorë gjithë pushtetin për të përmirësuar atë”.
