Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish dje në rrjetet sociale nga burgu 313, pas arrestimit të tij nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Në shkrimin e tij të gjatë Meta ka shigjetuar sërish Kryemadhin duke thënë se provat që pretendon SPAK janë në celularin e ish-bashkëshortes dhe grupit të saj të ngushtë. “Po ç’prova mund të rrezikojë Ilir Meta për çështjen absurd CEZ-DIA, që ka 13 vjet që hetohet e bazohet vetëm në intervista të sajuara nga dëshmitarë që kanë problem me drejtësinë.
Ç’prova mund të rrezikojë Ilir Meta kur të gjitha ato që pretendon SPAK-u janë në celularët e ish-bashkëshortes time dhe grupit të saj të ngushtë, të cilat SPAK i disponon prej 11 muajsh. Është e qartë se i gjithë ky proces rrëmbimi politik dhe të gjitha veprimet e paligjshme nga Prokuroria, Policia dhe Gjykata afërmendsh kanë vetëm një qëllim politik, izolimin e paligjshëm ekstrem të Ilir Metës, si President i Partisë së Lirisë, me qëllim pengimin e aktivitetit të saj opozitar, por edhe favorizimin e personave që janë kapur në shkelje të ligjit për të vepruar të lirë për llogari të regjimit mafioz për të dëmtuar Partinë e Lirisë në këmbim të rrethanave lehtësuese për veprimet e paligjshme që kanë bërë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ilir Metës.
Meta kundërshton mënyrën si e arrestuan
Meta gjithashtu ka kundërshtuar arrestimin, duke thënë se është i paligjshëm. Ish-presidenti ka kërkuar hetim për mënyrën sesi është arrestuar. “Sipas videove të publikuara dhe dëshmitarëve okularë, më 21 Tetor, disa makina private pa asnjë mbishkrim policor rrethuan makinën ku unë lëvizja dhe dhjetëra njerëz me maska dhe armatim të rëndë bllokuan trafikun në autostradë, prangosën dhunshëm drejtuesin e automjetit, Artimis Peca, funksionar politik i Partisë së Lirisë (pa asnjë vendim gjyqësor deri tani), ndërsa unë, Ilir Meta, u rrëmbeva me dhunë dhe u tërhoqa zvarrë nga automjeti mes publikut, me një trajtim kriminal e degradues pa m’u komunikuar asnjë vendim gjyqësor dhe pa m’u lexuar të drejtat, që më takojnë, sipas Kushtetutës. Në dy deklarata, SPAK dhe BKH mohuan që të kenë bërë ekzekutimin e vendimit të GJKKO, ndërsa policia pranoi se e kishte kryer ajo ekzekutimin.
Asnjë provë nuk është publikuar nga policia se janë respektuar qartë procedurat ligjore, që janë përcaktuar në nenin 28 të Kushtetutës. Neni 28/1 i Kushtetutës, parashikon se: “1. Kushdo, të cilit i hiqet liria, ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e kësaj mase, si dhe për akuzën që i bëhet. Personi, të cilit i është hequr liria, duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me avokatin, si dhe t’i jepet mundësia për realizimin e të drejtave të tij.” Po këtë e shpreh Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, në nenin 5 të saj, në paragrafin 1 dhe nënparagrafët e tjerë, që parashikon njëlloj se: “arrestimi duhet të ndjekë procedurat e duhura dhe çdo person i arrestuar ka të drejtën të informohet menjëherë për arsyen e arrestimit dhe të drejtat e tij përfshin të drejtën për të mos u vetinkriminuar dhe për të kërkuar një avokat””, shprehet ndër të tjera Meta
