Qeveria shqiptare ka mbajtur të pandryshuar skenarin për rritjen ekonomike në vitet 2027–2029, duke parashikuar zgjerim rreth 4% në vit, pavarësisht sinjaleve gjithnjë e më të forta të dobësimit të bazës prodhuese të vendit. Sipas kuadrit të ri makroekonomik, ekonomia pritet të rritet me 4% këtë vit, 3.9% në 2027 dhe 4.1% në 2028.
Projeksionet mbështeten kryesisht te kërkesa e brendshme, konsumi privat dhe investimet, ndërsa roli i kërkesës së huaj mbetet i kufizuar. Konsumi parashikohet të rritet mesatarisht me 2.9% në vit, ndërsa investimet me 4.9%, të nxitura nga kreditimi dhe përmirësimi i besimit financiar.
Megjithatë, këto parashikime bien në kontrast me realitetin ekonomik. Eksportet e mallrave kanë rënë vitet e fundit, bujqësia është tkurrur dhe industria ka humbur peshë, duke reflektuar dobësimin e konkurrueshmërisë dhe të prodhimit vendas. Edhe pse eksportet parashikohen të rriten mesatarisht me 4.6% në vit, kjo rritje lidhet kryesisht me turizmin dhe jo me prodhimin.
Nga ana e ofertës, vetë projeksionet tregojnë një ekonomi gjithnjë e më të varur nga shërbimet dhe ndërtimi. Bujqësia parashikohet të rritet vetëm me 0.2% në vit, ndërsa industria me 2.6%, me ndikim minimal në PBB. Shërbimet dhe ndërtimi pritet të mbajnë peshën kryesore të rritjes.
Edhe tregu i punës nuk jep sinjale optimiste: punësimi parashikohet të rritet vetëm rreth 0.1% në vit, kryesisht nga rritja e pjesëmarrjes në forcën e punës dhe jo nga hapja e vendeve të reja në sektorët prodhues.
Në këtë kontekst, rritja e projektuar duket më shumë si një skenar optimist në letër, i mbështetur te konsumi dhe turizmi, sesa një zhvillim i qëndrueshëm i bazuar në prodhim, eksporte dhe industri konkurruese.
