Ish-ambasadori i Shqipërisë në Britani, Mal Berisha, ka komentuar situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, duke u fokusuar në përplasjet e fundit mes Izraelit dhe Iranit.
I ftuar në studion e “Open” në News24, Berisha nënvizoi se Libani ka pasur probleme me Hezbollahun dhe se është një vend me një diversitet të madh fetar.
Sipas tij, sulmi i vitit të kaluar në Izrael, si dhe marrja e pengjeve, ka nxitur grupet më të rrezikshme palestineze dhe i ka dhuruar Izraelit mundësinë për të realizuar një projekt për marrjen e Gazës dhe Bregut Perëndimor.
“Mendoj se u gjet një shkëndijë te rrëmbimi i personave të pafajshëm,” tha Berisha. “Përgjigja e Izraelit ishte e pamëshirshme dhe disproporcionale, duke mos bërë dallim mes civilëve të pafajshëm dhe terroristëve.”
Ai theksoi se asnjëra palë nuk do të guxonte të bënte gabimin e madh të sulmit të drejtpërdrejtë, ndërsa përmendi gjithashtu shqetësimet lidhur me sulmet ndaj reaktorëve bërthamorë, duke theksuar se këto do të kishin një ndikim rajonal të madh.
