“Rreziku i flluskës!” Analiza: Si po maturohet ndërtimi

Data

A është ky kulmi i ciklit të dytë të ndërtimit?! Viti 2023 i dha disa sinjale. Çmimet janë rritur me shpejtësi, duke frenuar kërkesën. Në qendër, apartamentet kanë arritur në një pikë të lartë prej 4-6 mijë euro/m² dhe brenda unazës në 2000-2500 euro/m². Shtrenjtimi i qendrës, zhvendosi kërkesën më në periferi, duke tërhequr një valë të re rritje çmimesh. Tashmë apartamenti më i lirë në Tiranë kushton mesatarisht 1000-1200 euro/m². Por, projektet e reja nuk pritet të ndalen

Në dekadat e tranzicionit, ndërtimi ka njohur dy cikle. I pari nisi pas vitit 1997, teksa lëvizjet e popullsisë nxitën ndërtime masive në qytetet e qendrës së vendit, kryesisht në kryeqytet. Rritja ishte e shpejtë deri në vitin 2003-2005, me sektorin që arriti në 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Në vitet në vijim, rritja e shpejtë e çmimeve e frenoi sektorin, që kaloi në një fazë maturimi që zgjati deri në 2008-2009. Pas kësaj periudhe, e përkeqësuar nga ndikimi i krizës botërore financiare në sektorin bankar të vendit, ndërtimi hyri në fazë rënieje, duke zbritur poshtë 9% të PBB-së në 2014.

Por me kthimin e tendencës në rritje të sektorit pas 2015 dhe shtimit të presionit të taksimit në koston e ndërtimit, çmimet ishin dyfishuar, nga rreth 400-500 euro/m² në periudhën e krizës së 2010-s në 1000-1200 euro/m² në vitin 2016.

Pas 2016-s, sektori filloi sërish zgjerimin, i nxitur nga dhënia e lejeve të ndërtimit në kryeqytet. Ndonëse në raport me PBB-në ndryshimi nuk ishte shumë i fortë, për shkak të rritjes më të shpejtë të aktiviteteve të tjera, në vlerë është shumë më i lartë për shkak të çmimeve të shtrenjta.

Në vitin 2023, sektori ka arritur nivelin më të lartë që nga 2014-a, duke e kaluar 10% të PBB-së, me vlerë prej 235 miliardë lekësh në sektorin e ndërtimit dhe 136 miliardë lekë për aktivitetin e pasurive të paluajtshme, për një total prej rreth 372 miliardë lekësh (3.7 miliardë euro).

A është ky kulmi i ciklit të dytë të ndërtimit?! Viti 2023 i dha disa sinjale. Çmimet janë rritur me shpejtësi, duke frenuar kërkesën. Në qendër, apartamentet kanë arritur në një pikë të lartë prej 4-6 mijë euro/m² dhe brenda unazës në 2000-2500 euro/m².

Shtrenjtimi i qendrës, zhvendosi kërkesën më në periferi, duke tërhequr një valë të re rritje çmimesh. Tashmë apartamenti më i lirë në Tiranë kushton mesatarisht 1000-1200 euro/m².

Valuta informale ka qenë një faktor i rëndësishëm që ka nxitur tregun e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, por hetimet e SPAK i kanë “trembur” këto hyrje, sipas deklarimeve nga agjentët e pasurive të paluajtshme.

Të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) treguan se numri i transaksioneve të shitblerjeve të pasurive të paluajtshme pësoi rënie vitin e kaluar.

Të dhënat e ASHK-së tregojnë se u regjistruan gjithsej 35.690 transaksione të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, në rënie me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Një shifër e tillë dëshmon se tregu i pronave ka pësuar frenim vitin e kaluar.

Edhe në kryeqytet, numri i transaksioneve të shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në Tiranë, pësoi rënie për të dytin vit radhazi në 2023. Në ASHK u regjistruan 20,959 shitblerje, në rënie me 20%, krahasuar me vitin 2022, duke dhënë një sinjal të qartë për një ndryshim të tendencës në sektor.

Pesha që zë Tirana në tregun e pasurive të paluajtshme është e konsiderueshme. Në kryeqytet në vitin 2023, u kryen mbi 80% e totalit të transaksioneve të pronave.

Sinjalet nga tregu janë që edhe kërkesa e të huajve për prona po bie, si rrjedhojë e shtrenjtimit të shpejtë të tyre. Vitet e fundit, apartamentet në bregdet, sidomos në Jug njohën rritje dyshifrore të çmimeve, për shkak të kërkesës së lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related