Ka hyrë në fuqi nga sot ligji i ashtuquajtur i “paqes fiskale”, i cili parashikon faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore të papaguara nga bizneset deri më 31 dhjetor 2024. Masa synon të lehtësojë barrën financiare të sipërmarrjeve dhe të nxisë formalizimin e ekonomisë.
Sipas përcaktimeve ligjore, në falje nuk përfshihen detyrimet që lidhen me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto kontribute, ligji parashikon vetëm fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave të akumuluara deri më 31 dhjetor 2014, ndërsa shuma bazë e kontributeve mbetet e detyrueshme për t’u paguar.
Ligji parashikon gjithashtu fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore dhe doganore që janë më të vjetra se 10 vjet dhe nuk janë shlyer. Për detyrimet më të reja, bizneset mund të përfitojnë falje të pjesshme, me kusht që të paguhet një pjesë e detyrimit brenda afateve të përcaktuara.
Një tjetër lehtësi e rëndësishme lidhet me biznesin e madh, i cili do të ketë mundësinë të nënshkruajë marrëveshje me administratën tatimore dhe të rishikojë pasqyrat financiare. Në këto raste, ligji parashikon aplikimin e një tatimi të reduktuar mbi fitimin, në masën 5%.
Autoritetet e konsiderojnë “paqen fiskale” si një mundësi për të mbyllur kapituj të vjetër të borxheve tatimore, për të përmirësuar marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit, si dhe për të rritur arkëtimet në periudhën afatmesme.
