Bashkimi Europian ka dhënë një mesazh të qartë dhe të prerë për qeverinë shqiptare dhe drejtësinë e re, se lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate konkrete. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, gjatë vizitës në Tiranë, e bëri të qartë se mbështetja për institucionet e drejtësisë do të vijojë, pavarësisht tërheqjes së disa strukturave amerikane. Një mesazh i drejtpërdrejtë u dërgua edhe për kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, se, koha e tolerimit ka mbaruar, ndërsa priten goditje ndaj eksponentëve të nivelit të lartë të korrupsionit. Në një takim me drejtuesit kryesorë të drejtësisë shqiptare, Kos vlerësoi përpjekjet e SPAK dhe institucioneve të reja, por theksoi nevojën për veprime të guximshme dhe rezultate të prekshme.
“Lufta kundër korrupsionit është thelbësore për Shqipërinë dhe BE-në. SPAK ka një rol kyç në këtë betejë, dhe mbështetja jonë do të vazhdojë për aq kohë sa ka angazhim real për të çuar përpara këtë mision”, deklaroi ajo. Por ky qëndrim i ashpër i BE-së është një sinjal i fortë për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, të cilët janë akuzuar shpesh për kapjen e drejtësisë dhe vonesat në ndëshkimin e figurave të fuqishme politike dhe ekonomike. Me këtë deklaratë të fortë, Brukseli ka vendosur një vijë të kuqe: Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e BE-së pa pastruar politikën nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.
