Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka sekuestruar një sërë pasurish në pronësi të një shtetasi të dënuar për trafik narkotikësh, si dhe të familjarëve të tij, në kuadër të masave parandaluese kundër pasurisë.
Vendimi është marrë mbi bazën e ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, pas kërkesës së paraqitur nga organi i akuzës.
Dyshime për pasuri të pajustifikuara
Nga hetimet rezultoi se shtetasi B.B. është dënuar më herët nga autoritetet franceze për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë verifikimeve pasurore, Prokuroria ka konstatuar dyshime të arsyeshme se ai dhe familjarët e tij zotërojnë pasuri dhe të ardhura të cilat janë në shpërpjesëtim të dukshëm me burimet e ligjshme të deklaruara dhe nuk justifikohen me aktivitet ekonomik të ligjshëm.
Bazuar në këto rrethana, është vendosur sekuestrimi i pasurive të luajtshme dhe i llogarive bankare.
Pasuritë e sekuestruara
Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar:
•Një automjet Mercedes Benz, modeli S600L, në emër të shtetasit B.B.;
•Një motomjet Piaggio, modeli Gilera, në emër të shtetasit B.B.;
•Një motomjet Yamaha, modeli MT09, në emër të shtetasit B.B.;
•Një automjet Volkswagen, modeli Golf 2.0 TDI, në emër të shtetasit G.B.;
•Një motomjet Yamaha, modeli YP250R, në emër të shtetasit G.B.;
•Një automjet Lancia, modeli Y, në emër të shtetases E.B.;
•Të gjitha llogaritë bankare në emër të shtetasit B.B. dhe familjarëve të tij.
Hetimet vijojnë
Prokuroria bën me dije se procedurat ligjore do të vijojnë për të përcaktuar nëse këto pasuri do të konfiskohen përfundimisht në favor të shtetit, në përputhje me legjislacionin përkatës kundër pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal.
