Kilian Mbape. Sërish dhe gjithmonë Kilian Mbape. Ylli francez i Real Madridit ndezi edhe një herë futbollin europian me një supergol spektakolar në stadiumin imponues të “San Mames”, një skenë ku sezonin e kaluar ai kishte pranuar se ishte ndier i rraskapitur.
Këtë herë, numri 10 i madrilenëve dha përgjigjen më të fortë të mundshme: me talent, karakter dhe vendosmëri që i përkasin vetëm lojtarëve të mëdhenj.
Goli i tij për 1-0 ishte thjesht barbar: një aksion i nisur nga mesfusha, me shpërthim të pastër fizik, driblim poshtërues ndaj mbrojtësit dhe një goditje të pandalshme me të djathtën, që la pa reagim portierin Unai Simon.
Një gol që mban firmën e një fenomeni – një veprim që të kujton Ronaldo Nazario në ditët e tij të artë.
Statistikat flasin vetë:
Ky ishte goli i tij i gjashtë sezonal nga jashtë zonës – askush në pesë ligat kryesore nuk shënon kaq shumë nga distanca.
Supergoli i fundit ka rindezur debatin e madh:
A është sot Kilian Mbape lojtari më i mirë në botë, apo renditja e disa klasifikimeve që e vendosin të shtatin është e drejtë?
Pavarësisht polemikave, një gjë është e sigurt: me gola të tillë, Mbape vazhdon të rikonfirmojë se është një nga talentet më të jashtëzakonshme të futbollit modern.
