Pamje dramatike janë regjistruar në Gjirokastër, ku përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut kanë kthyer përroin dhe rrugët e qytetit në rrjedha të rrezikshme uji. Situata është rënduar ndjeshëm, duke vënë në rrezik serioz jetën e banorëve.
Si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, është përmbytur lagjja e poshtme e qytetit “18 Shtatori”, ndërsa niveli i ujit është rritur ndjeshëm edhe në zonën e njohur si Ura e Lumit. Ujërat kanë pushtuar rrugë, trotuare dhe hyrje banesash, duke krijuar kaos dhe frikë mes qytetarëve.
Momenti më dramatik është shënuar në Bllokun e Furrave, në lagjen “Punëtori”, ku një i ri 23-vjeçar është marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit. Qytetari ka qenë vetëm pak sekonda larg tragjedisë, por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të forcave zjarrfikëse, ai është nxjerrë nga uji dhe ka shpëtuar mrekullisht nga mbytja.
Forcat e emergjencës vijojnë të jenë në terren, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal, pasi rreziku nga përmbytjet mbetet ende i lartë.
