Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila akuzohet për manipulimin e një serie tenderash publikë me vlerë dhjetëra miliona euro, kryesisht në projektin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Kërkesa e SPAK përbën një përshkallëzim të drejtpërdrejtë të hetimeve, pas vendimit të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e Ballukut nga detyra – një vendim që u rrëzua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, pas përplasjes institucionale mes qeverisë dhe drejtësisë.
Përveç hetimeve për Tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Jashtme, SPAK ka njoftuar zyrtarisht se Balluku ka marrë statusin e personit nën hetim edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, të dyshuara për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.
Shtatë tendera, një skemë e përsëritur
Procedurat nën hetim lidhen me projektet:
- “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”
- “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2”
- “Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, urat mbi lumin Tirana”
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”
- “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”
Të gjitha këto tendera u zhvilluan njëkohësisht në shtator 2021, një element që sipas ekspertëve të prokurimeve publike rrit dyshimet për koordinim dhe manipulim të garës.
Analiza e BIRN: 73% e kompanive u skualifikuan
Sipas një analize të mëparshme të BIRN, nga 48 kompani që morën pjesë në këto procedura, 35 operatorë ekonomikë – ose 73% – u skualifikuan. Gjashtë nga shtatë tenderat u fituan me oferta që varionin nga 94.5% deri në 96.1% e fondit limit, një tregues klasik i tenderëve me konkurrencë të deformuar.
Në disa raste, kompani të mëdha u nxorën jashtë gare për mungesë dokumentacioni bazik, si mosparaqitja e listës së stafit. Në raste të tjera, skualifikimet u justifikuan me kritere teknike të pazakonta, përfshirë mungesën e një licence specifike për matjen e zhurmave. Sipas ekspertëve të fushës, këto janë elemente tipike të tenderëve problematikë, ku kriteret përdoren për të eliminuar konkurrentët realë dhe për të favorizuar fitues të paracaktuar.
Po ashtu, hetimet kanë evidentuar pjesëmarrje fiktive të disa kompanive, një praktikë që përdoret për të krijuar vetëm formalisht idenë e konkurrencës.
210 milionë euro nën hetim dhe përplasje politike
Balluku, së bashku me ish-drejtues të ARRSH-së dhe vartës të saj, u akuzua fillimisht për manipulimin e tenderave të Tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Jashtme, me një vlerë totale prej 210 milionë eurosh, duke favorizuar kompanitë fituese. Për këtë çështje, më 20 nëntor, GJKKO vendosi pezullimin e saj nga detyra.
Vendimi u kundërshtua ashpër nga kryeministri Edi Rama, i cili ndërhyri publikisht dhe ligjërisht, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e efekteve të vendimit. Kushtetuesja pranoi kërkesën dhe njoftoi se do të shprehet mbi themelin e çështjes në janar.
Pas kërkesës së fundit të SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestim, Rama reagoi sërish, duke kritikuar atë që e cilësoi si “arrestime pa gjyq” dhe duke lënë të kuptohet se qeveria nuk do ta braktisë numrin dy të saj.
Megjithatë, me zgjerimin e hetimeve dhe përfshirjen e shtatë tenderave të rinj, pozita penale dhe politike e Belinda Ballukut duket më e rënduar se kurrë, ndërsa vendimi i Kuvendit për kërkesën e SPAK pritet të shndërrohet në një provë kyçe për raportin mes pushtetit politik dhe drejtësisë në Shqipëri.
