Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka ngritur shqetësimin për rritjen e ndjeshme të çmimeve në vend, duke e cilësuar situatën si një alarm social që po prek drejtpërdrejt familjet shqiptare.
Në një reagim në rrjetet sociale, ajo theksoi se shtrenjtimi i produkteve ushqimore nuk është thjesht një krizë ekonomike, por pasojë e një modeli që, sipas saj, favorizon një grup të vogël individësh dhe dëmton konkurrencën dhe prodhimin vendas.
Xhixho solli si shembull rritjen e çmimit të domateve, që sipas saj kanë arritur deri në 500 lekë të reja, si dhe theksoi se shumë produkte bazë janë shtrenjtuar deri në 50%, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë për qytetarët.
Ajo u ndal edhe tek çmimi i karburantit, duke argumentuar se pjesa më e madhe e tij përbëhet nga taksat. Sipas saj, ndërhyrjet e deritanishme, si ulja e pjesshme e akcizës, nuk kanë sjellë ndikim real në uljen e kostove për qytetarët.
Sipas Xhixhos, rritja e çmimeve ka efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar në të gjitha shpenzimet e përditshme dhe duke ulur mirëqenien e familjeve shqiptare.
Ajo theksoi gjithashtu se Partia e Lirisë ka propozuar masa konkrete, si pezullimi i disa taksave mbi karburantin dhe ulja e TVSH-së për ushqimet, por këto propozime, sipas saj, janë refuzuar nga qeveria.
Në përfundim, Xhixho akuzoi mazhorancën se nuk po qeveris në interes të qytetarëve, por po përfiton nga situata ekonomike për të rritur të ardhurat në buxhet.
