Avokatja Adriana Kalaja ka publikuar dokumente që sipas saj provojnë se gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi dhe ka fshehur këtë fakt në mënyrë të përsëritur, duke kryer vepër penale.
E ftuar në një emision televiziv, Kalaja deklaroi se vendimi penal ndaj Gjokës nuk është amnistuar, por vetëm është arkivuar për shkak të një ligji grek që synonte uljen e ngarkesës së gjykatave. Sipas saj, arkivimi nuk e shfuqizon dënimin dhe nuk e heq detyrimin ligjor për deklarim.
Kalaja theksoi se Irena Gjoka ka gënjyer katër herë në formularin e dekriminalizimit, fillimisht në vitin 2019 dhe më pas edhe në vitin 2022, kur mori mandatin si drejtuese e Gjykatës së Posaçme. Sipas saj, kjo sjellje përbën falsifikim në deklarim dhe e bën të papajtueshme me detyrën e gjyqtares.
Avokatja publikoi gjithashtu dokumente zyrtare nga autoritetet greke që vërtetojnë se vendimi penal ndaj Gjokës është autentik dhe se ajo kishte dijeni të plotë për proceset gjyqësore, pasi kishte autorizuar avokat dhe kishte vepruar për heqjen e urdhrave të dëbimit.
Sipas Kalasë, pretendimi i Gjokës se nuk ka pasur dijeni ose se çështja është amnistuar bie poshtë nga provat zyrtare. Ajo shtoi se institucionet shqiptare janë në dijeni të këtij fakti prej korrikut 2025 dhe ngriti pyetjen se pse deri më sot nuk është marrë asnjë masë ligjore.
“Nëse një gjyqtare gënjen katër herë në formularin e dekriminalizimit, kemi të bëjmë me vepër penale. Këtu fillon dhe mbaron historia”, deklaroi Kalaja, duke e cilësuar rastin si një provë të kapjes së drejtësisë dhe përdorimit politik të saj.
