Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas kërkesës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Sipas Këlliçit, zhvillimet e fundit e kanë rrëzuar çdo justifikim politik për mazhorancën, ndërsa thekson se ndaj Ballukut rëndojnë akuza të shumta për abuzime me tendera, përfshirë tunelin e Llogarasë dhe 7 procedura të tjera të Unazës së Madhe të Tiranës.
“Nuk ka më asnjë alibi. Kuvendi i Shqipërisë duhet pa asnjë hezitim t’i heqë imunitetin kësaj kleptomaneje ekzemplare, të cilën e rivalizon vetëm Edi Rama,” deklaron deputeti demokrat.
Këlliçi thekson se heqja e imunitetit të Ballukut është vetëm hapi i parë dhe se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është tashmë e pashmangshme.
“Por edhe kjo nuk mjafton. Dorëheqja e Edi Ramës sot është një akt i domosdoshëm, urgjent, i pashmangshëm dhe madje i vonuar,” shkruan ai.
Deputeti i PD-së nënvizon se përpjekjet e kryeministrit për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tij përmes manovrave politike, mediatike apo institucionale kanë marrë fund.
“Manovrat për të shpëtuar veten dhe klikën e tij kanë dështuar. Pas dorëheqjes duhet të nisë një proces i thellë reflektimi shtetëror dhe shoqëror, për të kuptuar se si kjo bandë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal arriti deri në majat e shtetit,” thekson Këlliçi.
Ai shton se hapi i radhës duhet të jetë krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke theksuar se integrimi europian nuk mund të ecë përpara me qeverinë aktuale.
“Nuk ka zgjedhje të lira dhe as anëtarësim në BE me Edi Ramën dhe klikën e tij të kriminalizuar,” përfundon deputeti demokrat, duke e cilësuar situatën si një luftë pa kthim për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.
