Avokati Idajet Beqiri ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Prokurorisë së Posaçme, duke deklaruar se dosja e 21 Janarit po mbahet qëllimisht në sirtar dhe po zvarritet prej vitesh. I ftuar në një emision televiziv, Beqiri u shpreh se SPAK ka dështuar të përmbushë misionin e tij për një nga ngjarjet më të rënda të pas ’90-ës, të cilën Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar si krim shtetëror.
Sipas tij, hetimet duhet të kishin përfunduar prej kohësh dhe dosja të ishte dërguar për gjykim, ndërsa përgjegjësit të përballeshin me drejtësinë. Beqiri akuzoi drejtpërdrejt Sali Berishën për ushtrim presioni dhe shantazhi ndaj prokurorëve të SPAK, duke thënë se kjo është arsyeja pse çështja e 21 Janarit mbetet e bllokuar.
“SPAK po sillet si seksion i Partisë Demokratike, duke u kthyer në një opozitë brenda opozitës. Në vend që të merret me krime shtetërore si 21 Janari, merret me dosje pa peshë, të dorës së tretë,” u shpreh Beqiri, duke e cilësuar këtë sjellje si një rrezik serioz për reformën në drejtësi.
Ai theksoi se dosja e 21 Janarit është ndër më të qartat dhe më të dokumentuarat, me përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe shtetërore, ndaj vonesat nuk kanë asnjë justifikim ligjor. “Të vrasësh njerëz dhe të mos mbash asnjë përgjegjësi është skandal. Drejtësia nuk mund të mbyllë sytë,” deklaroi avokati.
Beqiri shtoi gjithashtu se ndaj Berishës ka nisur një hetim pasuror dhe se është sekuestruar një numër i konsiderueshëm pasurish, duke e cilësuar ish-kryeministrin si “më të korruptuarin në Europë”. Sipas tij, Berisha është i përfshirë në pastrim parash dhe afera të rënda financiare, duke përmendur edhe raste konkrete që, sipas Beqirit, janë tashmë në vëmendje të organeve të drejtësisë.
Në përfundim, Beqiri kërkoi që drejtësia të dalë nga frika dhe presioni politik dhe të çojë përpara hetimin e 21 Janarit deri në fund, duke theksuar se pa ndëshkim për këtë ngjarje, nuk mund të ketë kurrë drejtësi të vërtetë në Shqipëri.
