20 ditë pa asnjë gjurmë/ Vijojnë kërkimet për Jurgen Karajn, Kosova dërgon ekip të specializuar në Klos

Data

Kanë kaluar 20 ditë nga zhdukja e 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është marrë nga ujërat e përroit të Darsit, në territorin e Bashkisë Klos, ndërsa kërkimet intensive ende nuk kanë dhënë asnjë rezultat konkret.

Që prej ditës së parë, në operacionin e kërkimit janë angazhuar dhjetëra forca, përfshirë ushtrinë, forcat “Shqiponja”, shërbimet zjarrfikëse të Matit dhe Klosit, punonjës të Bashkisë Klos, si dhe banorë të zonës dhe familjarë të të riut. Megjithatë, pavarësisht kontrollit të vazhdueshëm të zonës dhe shtratit të përroit, nuk është gjetur asnjë gjurmë e Karajt.

Në përpjekje për të intensifikuar kërkimet, sot pritet mbërritja e një ekipi të specializuar nga Kosova, pas autorizimit të dhënë nga Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani. Si Komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura të Kosovës, Osmani ka urdhëruar dislokimin e një njësie të posaçme për kërkime nënujore të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila do të asistojë autoritetet shqiptare në operacion.

Ekipi i specializuar do të përdorë pajisje teknologjike të avancuara për skanime nënujore, përfshirë skanerë për ujëra, sistemin EDGE TECH 5201 si dhe dronin nënujor DEEP Trekker DTG 3 ROV, me shpresën për të lokalizuar trupin e 30-vjeçarit.

Burime pranë familjes bëjnë me dije se shpresa ende nuk është shuar, ndërsa kërkimet do të vijojnë pa ndërprerje edhe në ditët në vijim, në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre kosovare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related