Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur më 27 janar në Rumani, ku një furgon me tifozë të PAOK-ut u përplas ballë për ballë me një kamion, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.
Sipas mediave rumune, gjatë kontrolleve hetimore janë gjetur substanca narkotike brenda automjetit, çka ka hapur një pistë të re hetimi mbi gjendjen e shoferit dhe pasagjerëve para përplasjes fatale. Autoritetet po verifikojnë nëse substancat janë konsumuar nga pasagjerët apo nga vetë shoferi.
Pamjet e aksidentit tregojnë se furgoni ka kaluar plotësisht në korsinë e kundërt, pa kryer asnjë manovër shmangëse, duke u përplasur drejtpërdrejt me kamionin. Ky fakt ka ngritur dyshime serioze mbi reagimin dhe gjendjen psiko-fizike të drejtuesit të mjetit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në furgon janë gjetur pije energjike, alkool dhe lëndë narkotike. Po ashtu, gjatë dëshmive të marra, pasagjeri i ulur në sediljen e përparme ka deklaruar se shoferi kishte konsumuar kanabis pak para nisjes së udhëtimit.
Sipas rezultateve të analizave mjeko-ligjore, shoferi 29-vjeçar ka rezultuar pozitiv për substanca të ndaluara, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar nëse aksidenti është shkaktuar nga ndikimi i drogës, alkoolit, gabimi njerëzor apo ndonjë defekt teknik i automjetit.
Autoritetet rumune kanë theksuar se hetimi është ende në fazë të hapur dhe çdo element do të analizohet për të zbardhur plotësisht shkaqet e kësaj tragjedie që tronditi opinionin publik në Greqi dhe më gjerë.
