Apokalips në Portugali/ Stuhia “Christine” lë pas viktima dhe shkatërrim: “Ishte si një shpërthim bombe”

Data

Portugalia qendrore dhe veriore po përballet me pasoja dramatike pas kalimit të stuhisë së fuqishme “Christine”, e cila ka shkaktuar të paktën pesë viktima, përmbytje masive, rrëshqitje toke dhe dëme të rënda materiale. Qeveria portugeze e ka cilësuar situatën si një “ngjarje ekstreme”, ndërsa autoritetet kanë mbyllur shkolla dhe kanë shpallur gjendje alarmi në disa zona.

Stuhia është pjesë e një vale moti të dhunshëm që ka goditur vendin ditët e fundit. Vetëm gjatë fundjavës, një person humbi jetën pasi automjeti i tij u rrëmbye nga ujërat e përmbytjeve. Sipas shërbimeve të mbrojtjes civile, reshjet e dendura të shiut u shoqëruan me erëra të fuqishme që arritën shpejtësi deri në 150 km/orë.

Erërat më ekstreme u regjistruan në bazën ajrore Monte Real, në rajonin e Leirias, ku u matën shpejtësi deri në 178 km/orë, përpara se pajisjet e monitorimit të dëmtoheshin. Autoritetet besojnë se kjo zonë ka qenë pika kryesore e hyrjes së stuhisë në territorin kontinental të Portugalisë.

Pasojat janë të gjera: mbi 850 mijë persona mbetën pa energji elektrike, ndërsa rajoni i Leirias rezulton një nga më të goditurit, me të paktën tre viktima të konfirmuara. Transporti është paralizuar në shumë zona, me rrugë dhe hekurudha të bllokuara nga mbeturinat dhe rrëshqitjet e dheut, përfshirë edhe autostradën kryesore që lidh Lisbonën me veriun e vendit.

Situata është veçanërisht e rrezikshme edhe në bregdet, ku dhjetë zona janë vendosur në alarm të kuq për shkak të dallgëve që pritet të arrijnë deri në 14 metra. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve në qytete si Coimbra dhe Leiria të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Kryeministri i Portugalisë, Luís Montenegro, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka deklaruar se autoritetet janë në gatishmëri të plotë për vlerësimin e dëmeve dhe marrjen e çdo mase të nevojshme për menaxhimin e emergjencës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related