Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ka marrë një ftesë zyrtare nga Presidenti amerikan Donald Trump për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim. Lajmin e zbuloi gjatë podcastit të tij “Flasim”, ku sqaroi se vizita lidhet me themelimin zyrtar të Bordit të Paqes.
Rama u shpreh se Shqipëria do të jetë ndër shtetet themeluese të këtij bordi dhe e cilësoi pjesëmarrjen si një privilegj për vendin. Sipas tij, Shqipëria nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësimin apo qëndrimin si anëtare e përhershme, por do të kontribuojë me “dinjitetin dhe reputacionin ndërkombëtar” që ka ndërtuar ndër vite.
Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe kritikave të opozitës, duke theksuar se vizita në SHBA ishte paralajmëruar më herët prej tij. Ai nënvizoi se pjesëmarrja në një forum të tillë ndërkombëtar dëshmon rolin dhe vlerësimin që Shqipëria gëzon në arenën globale, veçanërisht në çështjet që lidhen me paqen dhe stabilitetin.
