Shtatëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një letër zyrtare, ku kërkojnë marrjen e masave disiplinore ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi.
Sipas organizatave firmëtare, në seancën parlamentare të 19 shkurtit deputetja ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Në letrën drejtuar Kuvendit thuhet se shprehjet e përdorura nga deputetja cenojnë dinjitetin personal dhe bien ndesh me standardet e komunikimit parlamentar të parashikuara në rregulloren e institucionit.
Organizatat theksojnë se bëhet fjalë për një sjellje të përsëritur joetike në parlament dhe kërkojnë që ndaj deputetes të merret masa disiplinore e “vërejtjes”, duke argumentuar se tërheqja e vëmendjes nuk është më një reagim proporcional ndaj shkeljes.
Sipas tyre, kërkesa nuk synon të kufizojë debatin politik, por të ruajë kufijtë etikë që e bëjnë debatin demokratik dhe në përputhje me dinjitetin e Kuvendit.
Debati mes deputetes Çaushi dhe Bardhit ndodhi gjatë seancës së 19 shkurtit, ku pati përplasje të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës lidhur me akuzat ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Gjatë debatit, Çaushi iu drejtua Bardhit me komente ironike dhe kritika për aktivitetin e tij politik në Fier, gjë që shkaktoi reagime në sallën e parlamentit.
