Ministria e Financave ka ngritur një Task Forcë për monitorimin e tregut të hidrokarbureve, me qëllim parandalimin e abuzimeve me çmimin e karburanteve.
Strukturat e përfshira në këtë nismë janë administrata doganore dhe ajo tatimore, të cilat do të kryejnë kontrolle si në pikat e tregtimit me shumicë ashtu edhe në ato me pakicë.
Sipas njoftimit zyrtar, verifikimet nuk do të fokusohen vetëm te çmimet, por edhe te sasitë e hidrokarbureve që tregtohen nga operatorët në treg.
Kontrollet do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit dhe do të vijojnë deri më 30 qershor 2026.
Autoritetet bëjnë të ditur se inspektimet do të realizohen mbi bazën e analizës së riskut dhe të informacionit të mbledhur nga institucionet përkatëse, me synim rritjen e transparencës në tregun e karburanteve.
