Pas ditëve me mot të qëndrueshëm, vendi është përfshirë sot nga kushte të përkeqësuara atmosferike, me reshje shiu, temperatura të ulëta dhe reshje dëbore në zonat malore.
Reshjet e borës kanë nisur në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz gjatë orëve të mëngjesit, ndërsa temperaturat kanë zbritur deri në 0 gradë Celsius. Si pasojë, rrugët urbane janë bërë të rrëshqitshme, por në akset nacionale është ndërhyrë në kohë me kriposje dhe qarkullimi vijon normalisht.
Edhe segmentet rrugore rurale janë aktualisht të kalueshme. Megjithatë, probleme priten kryesisht në aksin Kryezi–Iballë, ku në zonën e Qafës së Sharrit trashësia e borës ka kaluar 20 centimetra.
Reshje dëbore janë shënuar gjithashtu në qytetin e Shkodrës dhe zonat përreth, por deri më tani nuk raportohen bllokime të akseve rrugore dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht.
Ndërkohë, në Rrugën e Kombit, në drejtimin Kukës–Tuneli i Kalimashit, po bien reshje të dendura shiu të shoqëruara me erë të fortë, duke e bërë lëvizjen më të vështirë për drejtuesit e mjeteve. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.
