Kandidatja për postin e Avokatit të Popullit, Adriana Kalaja, ka reaguar ashpër pas rezultatit të votimit në Kuvend, ku ajo mori 0 vota pro, 69 kundër dhe 17 abstenime. Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Kalaja shpreh zhgënjimin e thellë ndaj Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, duke i akuzuar se e kanë “shkelur” politikisht.
Kalaja ndalet veçanërisht te vendimi i PD-së për tërheqjen e firmave nga kandidaturat për Avokat të Popullit, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të një marrëveshjeje politike që, sipas saj, u bë nga frika ndaj emrit dhe kontributit të saj publik.
“Fakti që kreu i organizatës kriminale ngrihet e shkon në Kuvend për të çuar deri në fund ‘marrëveshjen’ me PD-në dhe opozitën, nga frika se mund t’i rridhte edhe një votë pro meje, është fitorja ime e radhës”, shkruan Kalaja.
Sipas saj, 69 votat kundër nuk janë tregues refuzimi, por shenjë frike, jo vetëm nga ana e mazhorancës, por edhe nga opozita që, siç thekson ajo, pranoi një marrëveshje politike në dëm të kandidaturës së saj.
“69 vota kundër të banditëve me urdhër tregojnë frikën jo ndaj meje personalisht, por ndaj emrit dhe kontributit tim, kontribut që e shkeli si Partia Demokratike, ashtu edhe z. Berisha, për sa kohë pranoi marrëveshjen me sorosistin Shabani”, thekson Kalaja.
Ajo shton se ironia e situatës qëndron në faktin se i njëjti numër votash ishte përdorur edhe në zgjedhjen e ish-Prokurores së Përgjithshme Arta Marku, duke e quajtur atë “ushtare të pushtetit”.
Megjithëse aktualisht jashtë funksioneve partiake në PD, Kalaja deklaron se do të vijojë betejën e saj publike, duke u vetëcilësuar si “Avokate e Popullit” përmes angazhimit qytetar.
“Me gjithë se sot jam jashtë funksioneve të mia në PD, zotohem se do të vijoj të jem Avokatja e Popullit dhe do ta çoj deri në fund betejën time kundër narko-regjimit”, shkruan ajo.
Në postimin e saj, Kalaja përmend gjithashtu se dosje të ndjeshme, si ajo McGonigal, çështjet e pronave në Surrel dhe raste të tjera, janë referuar sipas saj në Senatin dhe Kongresin Amerikan, si dhe në Ambasadën e SHBA-ve.
Procesi i votimit për Avokatin e Popullit u zhvillua më 11 dhjetor, në një seancë maratonë, pa praninë e opozitës, e cila braktisi sallën përpara votimit, duke kundërshtuar procedurën dhe kandidaturën e mbështetur nga mazhoranca. Në sallë u shfaq edhe kryeministri Edi Rama, pak minuta para nisjes së votimit.
Në fund, Kuvendi zgjodhi Endri Shabanin Avokat të Popullit me 85 vota pro, ndërsa kandidaturat e tjera, përfshirë Adriana Kalajan, u rrëzuan.
