Numri i aplikimeve fillestare për azil në Gjermani është ulur ndjeshëm që nga fillimi i vitit 2025. Deri tani janë regjistruar 106.298 kërkesa, krahasuar me 216.861 vitin e kaluar – një rënie prej 51%, sipas të dhënave zyrtare të Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët.
Rënia vlerësohet si rezultat i disa masave të ndërmarra paralelisht nga qeveria aktuale:
- kontrolle të shtuara kufitare,
- sprapsime të menjëhershme,
- qasje më e ashpër ndaj migracionit ilegal në diskursin publik,
- forcim i prezencës së policisë federale në kufijtë tokësorë.
Shumica e të ardhurve të parregullt kishin hyrë nga vende të sigurta, çka e bëri më të thjeshtë refuzimin e menjëhershëm në kufi.
Një shifër e ulët për Gjermaninë, por alarmante për vende të tjera
Rreth 100 mijë kërkesa për azil konsiderohen një numër i menaxhueshëm për Gjermaninë. Por vende të tjera si Britania e Madhe e konsiderojnë këtë shifër alarmante – vetëm vjet, Londra regjistroi mbi 100 mijë kërkesa, një rekord historik.
Pavarësisht rënies së aplikimeve, Gjermania paralajmëron se do të vazhdojë të ofrojë mbrojtje për ata që rrezikohen realisht, por do të kufizojë migrimin e parregullt dhe abuzimet me sistemin e azilit.
Ashpërsohet ligji i shtetësisë – ndëshkim i ri për falsifikimin e certifikatave të gjuhës
Partitë kryesore qeverisëse po përgatisin ndryshime të reja në ligjin e shtetësisë, të fokusuara tek parandalimi i mashtrimeve. Masa kryesore e re:
– Kush falsifikon certifikatën e provimit të gjuhës gjermane (niveli B1), përjashtohet 10 vjet nga aplikimi për shtetësi.
Kjo ndëshkim do të aplikohet edhe nëse mashtrimi zbulohet pasi personi e ka marrë tashmë shtetësinë. Personat e kapur do të regjistrohen në një databazë të posaçme, që lehtëson refuzimin automatik të aplikimeve në çdo tentativë brenda dekadës së bllokimit.
Ndryshimi vjen pas zbulimit të disa rrjeteve të falsifikimit të certifikatave të gjuhës:
- në Baden-Württemberg dhe Hessen, u kryen aksione të mëdha policore ndaj grupeve që prodhonin certifikata false,
- ndërsa një grup tjetër u dërgua për gjykim në Bon, pasi kishte fituar miliona euro duke shitur certifikata të falsifikuara deri në 3000 euro.
Qëllimi i ligjit të ri është të frenojë abuzimet dhe të garantojë se shtetësia jepet vetëm për persona të integruar realisht.
Të tjera masa në fuqi ose në shqyrtim
- Anulimi i natyralizimit të përshpejtuar brenda 3 viteve për persona “të mirëintegruar”, një rregull i miratuar nga qeveria e kaluar.
- Heqja e detyrimit të shtetit për të paguar avokat për personat në paraburgim para dëbimit, në mënyrë që procedurat të përshpejtohen.
- Diskutim i brendshëm politik për rritjen e kërkesave lidhur me “lidhjen reale me Gjermaninë”, përpara se dikush të marrë shtetësinë gjermane.
