Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur të pafajshme ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato, e akuzuar për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” lidhur me procedurën për rrugën Kardhiq-Delvinë.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi, Engert Pëllumbi dhe Tereza Merkaj.
Përveç Qatos, të pafajshëm u shpallën edhe nëntë persona të tjerë:
- Simon Prendi
- Elona Gogo
- Erdit Salillari
- Admir Pahumi
- Nikollaq Mihali
- Miranda Shkurti
- Arbër Troka
- Almir Hoxhaj
- Arjana Hasani
Gjykata vendosi të lërë në fuqi pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë të datës 23 korrik 2025, ndërsa për disa prej të pandehurve ndryshoi vendimin duke i deklaruar të pafajshëm me argumentin se “fakti nuk përbën vepër penale”.
Sipas vendimit, shpenzimet gjyqësore do të mbulohen nga shteti.
Çështja kishte të bënte me procedurat e tenderimit për segmentin rrugor Kardhiq-Delvinë, një nga projektet infrastrukturore më të rëndësishme në jug të vendit.
