Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga arrestimi i Elvin Merlikës dhe Alket Xhixhës, dy persona të dyshuar si pjesë e planit për eliminimin e Indrit Dokles, atentat që sipas hetimeve dyshohet të jetë porositur nga Ervis Martinaj. Të dy konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ishin shpallur në kërkim nga SPAK.
Arrestimi u krye gjatë operacionit të koduar “Operacionalja 75”, i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në një zonë me terren të vështirë në Fushë-Kuqe, pranë lumit, brenda një banese ku dy të kërkuarit ishin strehuar. Operacioni u konsiderua me shkallë të lartë rrezikshmërie, pasi në momentin e ndërhyrjes Merlika dhe Xhixha ishin të armatosur.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 2 armë zjarri pistoleta, të mbajtura në çanta marsup,
- 2 armë gjahu,
- municion luftarak,
- 2 radio ndërlidhëse, të ngjashme me ato që përdor policia,
- 1 jelek antiplumb.
Ndaj Alket Xhixhës, 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe Elvin Merlikës, 47 vjeç, banues në Mamurras, Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:
- “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”,
- “Grup i strukturuar kriminal”,
- “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Emrat e Merlikës dhe Xhixhës kanë dalë në pah pas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë. Elvin Merlika dyshohet si pjesëmarrës në planin për vrasjen e Indrit Dokles, ndërsa Alket Xhixha akuzohet se ka luajtur rol kyç në lidhjet mes anëtarëve të grupit kriminal.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, ndërsa po punohet për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të dy të arrestuarve dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
