Një moment i pazakontë është shënuar pas daljes nga GJKKO, ku u vendos kalimi për gjykim i dosjes ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Gjatë një deklarate për mediat, avokati Kujtim Cakrani, teksa po argumentonte qëndrimin e mbrojtjes, bëri një lapsus duke iu referuar Kryemadhit si “Zoti Kryemadhi”.
Kjo deklaratë solli menjëherë reagimin e saj, e cila e korrigjoi publikisht: “Jam zonja, o shoku”, ndërsa më pas i kërkoi të mos shqetësohej dhe të mos provokohej.
Pas ndërhyrjes, Cakrani e korrigjoi shprehjen duke vijuar deklaratën si “Zonja Kryemadhi”, ndërsa theksoi se sipas tij Meta dhe Kryemadhi kanë pasur role të ndryshme politike dhe nuk duhet të trajtohen si një njësi e vetme në çështje.
Ky episod ndodhi në një moment të tensionuar, pasi mbrojtja ka kundërshtuar fort vendimin për kalimin e dosjes në gjykim, duke pretenduar mungesë provash dhe duke e cilësuar procesin si me natyrë politike.
Ngjarja, ndonëse e shkurtër, tërhoqi vëmendjen e mediave dhe u bë pjesë e atmosferës së ngarkuar që ka shoqëruar këtë çështje të bujshme.
