GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi, zbardhen 6 episodet e dyshuara për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, ndërsa SPAK ka detajuar të paktën gjashtë episode mbi të cilat mbështeten akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Sipas hetimeve, episodi i parë lidhet me kontratën e shumëpërfolur CEZ-DIA, ku dyshohet se Meta, në kohën kur ishte ministër, ka përdorur ndikimin për lidhjen e një marrëveshjeje nga e cila një kompani përfitoi miliona euro pa përmbushur kriteret, ndërsa në këmbim janë marrë përfitime financiare.

Episodi i dytë përfshin ndërhyrje të dyshuara në tregun e fibrave optike, ku sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi kanë ndikuar në favor të një kompanie të huaj dhe kanë përfituar përmes kartave krediti të padeklaruara. Në këtë çështje përmendet edhe roli i Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP.

Në episodin e tretë, hetuesit flasin për përfitimin e një vile nga një biznesmen në këmbim të ndikimit politik dhe institucional, ndërsa në të katërtin për kontrata lobimi në SHBA, ku një pjesë e pagesave nuk janë deklaruar në mënyrë zyrtare.

Episodi i pestë lidhet me blerjen e një apartamenti në Tiranë, ku sipas SPAK dyshohet se është përdorur një kredi si mbulesë për të legalizuar para me burim të dyshimtë.

Ndërsa episodi i gjashtë përfshin shpenzime të konsiderueshme mjekësore të padeklaruara, që sipas hetimeve arrijnë në mbi 100 mijë euro, një pjesë e madhe e tyre të paguara cash.

Përveç Metës dhe Kryemadhit, në këtë çështje janë përfshirë edhe Ema Çokun dhe Fatime Kryemadhi për pastrim parash.

Procesi tashmë kalon në fazën e gjykimit, ku pritet përballja mes akuzave të ngritura nga SPAK dhe mbrojtjes së të pandehurve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related