Administrata e presidentit Donald Trump ka ndërmarrë një masë të re për aplikantët e vizave amerikane, duke kërkuar depozitimin e një garancie financiare deri në 15 mijë dollarë për qytetarët e disa vendeve.
Sipas Departamenti i Shtetit i SHBA, programi ekzistues është zgjeruar me 12 shtete të tjera, duke e çuar në rreth 50 numrin total të vendeve të përfshira.
Masa, e cila hyn në fuqi më 2 prill, zbatohet për vizat e tipit B1 dhe B2, të përdorura për udhëtime biznesi dhe turizmi. Qëllimi kryesor është parandalimi i rasteve kur vizitorët qëndrojnë në SHBA më gjatë sesa lejohet.
Garancia financiare do t’u kthehet aplikantëve nëse ata respektojnë kushtet e vizës dhe largohen në kohë nga Shtetet e Bashkuara, ose nëse nuk realizojnë udhëtimin.
Në listën e re janë përfshirë vende si Kamboxhia, Etiopia, Gjeorgjia, Grenada, Lesoto, Mauritius, Mongolia, Mozambiku, Nikaragua, Papua Guinea e Re, Seychelles dhe Tunizia.
Kjo politikë është pjesë e një qasjeje më të ashpër ndaj emigracionit nga administrata amerikane, e cila përfshin gjithashtu kontrolle më të rrepta dhe masa për reduktimin e shkeljeve të kushteve të vizave.
Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim, duke e cilësuar këtë vendim si kufizues për liritë individuale, ndërsa autoritetet amerikane argumentojnë se është një hap i nevojshëm për rritjen e sigurisë kombëtare dhe kontrollin e emigracionit.
