Zjarret pyjore vijojnë të përhapen në Spanjë, qindra banorë evakuohen

Data

Spanja po përballet me disa vatra të mëdha zjarresh pyjore, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e qindra banorëve nga zonat e rrezikuara dhe vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të flakëve.

Një nga zjarret më të mëdha është regjistruar rreth 100 kilometra në veri të Madridit, në rajonin e Guadalajarës, ku flakët janë përhapur në zonën e parkut natyror Sierra Norte. Sipas autoriteteve lokale, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore dhe mbetet ende aktiv.

Presidenti i rajonit Castilla-La Mancha, Emiliano García-Page, deklaroi se situata vazhdon të jetë e vështirë dhe se ekipet e emergjencës po punojnë për të frenuar përhapjen e flakëve. Në operacion janë angazhuar rreth 350 zjarrfikës dhe ushtarë të Njësisë Ushtarake të Emergjencave (UME), të mbështetur nga mjete ajrore.

Një vatër tjetër e madhe zjarri vijon të jetë aktive edhe pranë Zaragozës, në rajonin e Aragonës. Autoritetet rajonale raportojnë se zjarri nuk është stabilizuar ende, ndërsa deri në publikimin e këtij materiali nuk ka njoftime për viktima në asnjërën prej zonave të prekura.

Përveç dëmeve materiale, zjarret përbëjnë një kërcënim edhe për ekosistemet natyrore, pasi zonat e prekura janë habitat i një sërë speciesh të mbrojtura të faunës dhe florës.

Ekspertët e lidhin përhapjen e zjarreve me temperaturat e larta dhe valët e të nxehtit që kanë prekur Spanjën gjatë muajve të fundit, duke krijuar kushte të favorshme për ndezjen dhe përhapjen e flakëve. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve për mbrojtjen e banorëve dhe kufizimin e dëmeve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related