Zjarret që kanë përfshirë pjesë të Spanjës kanë prekur edhe zonën ku ndodhet Kompleksi i Komunikimeve në Hapësirën e Thellë i NASA-s, pranë komunës Robledo de Chavela, ndërsa i gjithë personeli është evakuuar si masë sigurie.
Sipas autoriteteve spanjolle, vendi është përballur me disa zjarre të mëdha, të cilat kanë çuar në shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e prekura dhe në evakuimin e banorëve.
NASA konfirmoi se personeli i kompleksit u evakuua pa incidente. Agjencia bëri të ditur se zjarri ka kaluar nëpër zonën e observatorit, por ende nuk dihet nëse pajisjet janë dëmtuar.
Në një deklaratë për mediat, një zëdhënës i NASA-s tha se çdo dëm i mundshëm do të vlerësohet sapo kushtet të jenë të sigurta për hyrjen e ekipeve në terren.
Kompleksi në Robledo de Chavela është një nga stacionet e rrjetit të komunikimeve në hapësirën e thellë të NASA-s, i cili mbështet komunikimin me misione të ndryshme hapësinore.
Autoritetet vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të zjarreve dhe vlerësimin e dëmeve në zonat e prekura.
