Zien PS, Rama mbledh drejtuesit politik dhe paralajmëron reprezalje para zgjedhjeve të 11 majit, ministrit Hoxha…

Data

Partia Socialiste ka nisur javën me një mbledhje të drejtuesve politik, e thirrur nga kryeministri Edi Rama. Diskutimi ka pasur si fokus kryesor organizimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe mobilizimin maksimal të strukturave socialiste në terren, përfshirë edhe votën e diasporës, një çështje e cila ka ndezur debate të brendshme dhe intriga politike.

Burime nga mbledhja raportojnë se Rama ka dhënë paralajmërime të ashpra për çdokënd që nuk arrin rezultatet e pritshme, duke theksuar se në këto zgjedhje nuk ka vend për “eksperimentime” apo “justifikime”. “Reprezaljet politike do të jenë të ashpra për ata që dështojnë”, mësohet të ketë deklaruar kreu i PS-së, duke treguar qartë vendosmërinë për të ruajtur dominimin politik të socialistëve.

Lëvizje në PS

Ndërkohë, lëvizjet e fundit brenda radhëve të drejtuesve politik të Partisë Socialiste kanë shkaktuar tronditje dhe spekulime të shumta. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, është caktuar të drejtojë fushatën në njësinë numër 1 të Tiranës, një zonë kyçe për zgjedhjet, duke zëvendësuar Eduard Shalsin. Ky i fundit është dërguar drejt qarkut të Kukësit, një zonë tradicionalisht sfiduese për socialistët, ku përpjekjet për të thyer dominimin e të djathtës kanë qenë të shumta, por jo gjithmonë të suksesshme.

Në anën tjetër, lëvizja më intriguese është caktimi i Pandeli Majkos në Kavajë, një bastion historik i të djathtës. Majko, i cili ka qenë në qendër të akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për “krime elektorale”, ka deklaruar se është gati të zhvishet nga imuniteti parlamentar për të përballur çdo hetim. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka hedhur poshtë çdo akuzë, duke deklaruar se nuk ka asnjë procedim penal ndaj tij, por kjo nuk ka mjaftuar për të shuar polemikat politike.

Majko pritet të prezantohet këtë pasdite në asamblenë e PS-së në Kavajë, një ngjarje që socialistët e shohin si një test të rëndësishëm për mobilizimin e bazës. Akuzat e Berishës ndaj tij, të cilat përfshijnë edhe përgjime nga Shërbimi Informativ i Shtetit, kanë krijuar një klimë të tensionuar, me Majkon që i ka dërguar një letër zyrtare SHISH-it për të kërkuar informacion mbi pretendimet. Nga ana tjetër, Berisha vijon fushatën e tij të akuzave, duke përfituar nga situata për të goditur kundërshtarët politikë.

Megjithatë, kjo përplasje duket se ka shërbyer për të galvanizuar radhët e socialistëve, të cilët shpresojnë të përforcojnë pozitat e tyre në Kavajë, një bastion të cilin Partia Socialiste ka synuar ta thyejë prej kohësh. Por vendimet e fundit të Ramës, sipas analistëve politikë, tregojnë për një strategji të qartë, se, çdo drejtues politik do të jetë personalisht përgjegjës për suksesin ose dështimin e zonës së tij.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related