Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duhet ta mbajë fjalën për zgjedhje të parakohshme, që do të mbaheshin vjeshtën e ardhshme bashkë me ato lokale, ka thënë Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).
Ndërkaq në lidhje me përdorimin ose jo të gjuhës shqipe ka deklaruar se “prekja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe ka për të qenë ‘fuçi baruti’”.
Si lider i opozitës ai, ka paralajmëruar zgjidhje ligjore për tejkalimin e mospajtimit të Frontit opozitar Evropian me vendimin e kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, për të marrë në Qeveri grupimin politik VLEN. Ai ka pohuar se po punohet në një material, nga i cili “do të dalë një ligj, dukshëm në mbrojtje të legjitimitetit”.
Duke ritheksuar angazhimin për ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në preambulën e saj, Ahmeti ka nënvizuar se me këtë ndryshim, maqedonasit nuk humbin asgjë.
“Përkundrazi, bëhet dallimi mes komunitetit bullgar dhe atij maqedonas”, është shprehur kreu i BDI-së.
Radio Evropa e Lirë: Ahmeti, këtë javë Komisioni Evropian (KE) ka publikuar Raportin e vet të Progresit edhe për Maqedoninë e Veriut. Gjetjet janë se Shkupi ka ngecje në realizimin e reformave të kërkuara. Veçmas kur është fjala për ndryshimin e Kushtetutës dhe vendosjen e shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. Si e keni lexuar ju këtë Raport?
Ali Ahmeti: Më 5 nëntor unë pres ambasadorin e Bashkimit Evropian në takim, për të dëgjuar drejtpërdrejt lidhur me Raportin. Por, kjo nuk do të thotë se unë nuk kam informacion, si dhe e di përmbajtjen e tij. Është një e vërtetë e madhe që Republika e Maqedonisë së Veriut ka ngecje në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me palën bullgare, si kusht i domosdoshëm që ky moment të ndodhë: që minoriteti bullgar të përfshihet në kategorinë kushtetuese të Maqedonisë së Veriut.
Ne, në vazhdimësi kemi apeluar që ndryshimi i Kushtetutës duhet bërë, sepse nuk humbin asgjë bashkëqytetarët tanë maqedonas, përkundrazi bëhet dallimi mes komunitetit bullgar dhe atij maqedonas.
Kjo është një histori e gjatë, sepse ne kemi qenë të interesuar të mos jemi palë e konfliktit, palë e përçarjes, por e unifikimit të qëndrimeve me bashkëqytetarët tanë maqedonas. Ne asnjëherë nuk e kemi kontestuar as historinë, as gjuhën, as kulturën, dhe komuniteti maqedonas ka pasur përkrahje të plotë për problemet që kërkonin një zgjidhje, si me palën greke ashtu edhe me palën bullgare. Por, si duket, kjo përkrahje që u është dhënë nga komuniteti shqiptar bashkëqytetarëve maqedonas, nga një pjesë e partive politike është keqpërdorur.
