Dhimbje dhe lot në komunitetin shkollor të Camiglianos, ku nxënësit dhe mësuesit i dhanë lamtumirën Xhesika Kolës, 15-vjeçares me origjinë shqiptare që humbi jetën tragjikisht bashkë me prindërit dhe vëllanë pas një rrjedhjeje monoksidi karboni në banesën e familjes.
Shokët e klasës vendosën mesazhe prekëse dhe lule, duke e kujtuar Xhesikën si një vajzë të ndritur, të buzëqeshur dhe plot jetë. Shkolla ka aktivizuar mbështetje psikologjike për nxënësit, ndërsa homazhe spontane u mbajtën edhe nga të rinj e prindër të zonës.
Familja Kola u shua brenda pak orësh, duke lënë pas një dhimbje të thellë jo vetëm tek të afërmit, por edhe në dy komunitete shkollore ku mësonin fëmijët. Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa banesa mbetet nën sekuestro.
Në heshtjen e rëndë që ka pllakosur zonën, mesazhi i nxënësve mbetet i njëjtë: kujtimi i Xhesikës do të jetojë përgjithmonë.
