Burgu si “han pa porta”/ Arratisja e Altin Ndocit, zbulohen shkelje të rënda gjatë shoqërimit

Data

Arratisja e Altin Ndocit nga burgu i Durrësit vijon të mbetet një nga ngjarjet më problematike të këtij muaji, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe funksionimin e sistemit penitenciar. Ndoci, i cili është në kërkim prej datës 13 janar, ka lënë pas jo vetëm një hetim penal, por edhe një hetim administrativ që ka nxjerrë në dritë shkelje të rënda procedurale.

Sipas dokumentacionit të administratës së burgjeve, gjatë eskortimit të tij drejt spitalit, stafi ka plotësuar në mënyrë fiktive formularin e vlerësimit të riskut për arratisje. Ndërkohë që komisioni i vlerësimit kishte evidentuar shtatë tregues të riskut të lartë për Altin Ndocin, ai është klasifikuar padrejtësisht si “risk standard”.

Po ashtu, gjatë shoqërimit nuk janë përdorur armë të gjata, në kundërshtim me rregulloret për të burgosurit e rrezikshëm. Ndoci është shoqëruar disa herë drejt spitaleve, pa qenë e domosdoshme mjekësisht, dhe gjithmonë nga i njëjti grup efektivësh, pjesë e një strukture prej 29 punonjësish që ishin në detyrë.

Një tjetër shkelje e rëndë ka të bëjë me faktin se shoqërimi i të burgosurit është kryer pa njoftuar Policinë e Shtetit dhe me një numër të reduktuar efektivësh, duke e ekspozuar eskortën ndaj rrezikut dhe duke krijuar kushte të favorshme për arratisjen.

Pas kësaj ngjarjeje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka urdhëruar rishikimin e menjëhershëm të vlerësimit të riskut për të gjithë të burgosurit dhe paraburgosurit që shoqërohen jashtë perimetrit të sigurisë. Në udhëzimin zyrtar theksohet se shoqërimet për urgjenca shëndetësore, ekzaminime apo konsulta duhet të kryhen vetëm në spitale publike.

Në raste të jashtëzakonshme, kur qendrat shtetërore nuk kanë mundësi të ofrojnë shërbimin e nevojshëm, lejohet transportimi drejt spitaleve private, por pa hospitalizim, për shkak të mungesës së kushteve të sigurisë.

Ndërkohë, në burgun e Durrësit, arratisja e Altin Ndocit ka sjellë lëvizje të shumta. Hetimet kanë çuar në transferimin e disa të burgosurve drejt institucioneve të tjera. Aktualisht, në këtë burg vijojnë të mbahen si paraburgosur edhe ish-funksionarë të njohur, si Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj, si dhe persona të dënuar që janë transferuar gjatë ditëve të fundit.

Ngjarja ka vënë seriozisht në dyshim standardet e sigurisë në burgun e Durrësit, duke ngritur pyetjen se kush realisht mban kontrollin në një institucion që, sipas asaj që ka dalë deri tani, është shndërruar në një “han pa porta”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related