Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, zhvilloi një takim në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar mënyrat e rritjes së presionit ndaj Rusisë, në një moment kur vëmendja ndërkombëtare është përqendruar gjithnjë e më shumë te tensionet në Lindjen e Mesme.
Zelensky mbërriti në mesditë në Pallatin Elize, selinë historike të presidencës franceze, ku dy liderët diskutuan për mbështetjen ndaj Ukrainës dhe për zhvillimet e fundit të luftës.
Sipas presidencës franceze, një nga qëllimet kryesore të vizitës është të shmanget që lufta në Ukrainë të mbetet në hije për shkak të konfliktit me Iranin.
Macron theksoi se mbështetja e Francës për Kievin do të vazhdojë pa lëkundje dhe se situata në Lindjen e Mesme nuk do të ndryshojë fokusin ndaj agresionit rus.
“Mbështetja e Francës për Kievin nuk do të lëkundet dhe asgjë nuk do ta largojë vëmendjen nga Ukraina. Ata në Kremlin që mendojnë se lufta në Iran hap një dritare mundësie për ta, gabohen,” u shpreh presidenti francez.
Vizita e Zelenskyt në Paris është pjesë e përpjekjeve diplomatike për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare ndaj Ukrainës dhe për të ruajtur presionin ndaj Rusisë në mes të zhvillimeve të reja gjeopolitike.
