Avokatët e Thaçit kërkojnë pafajësi dhe kundërshtojnë dënimin maksimal nga Gjykata Speciale

Data

Mediat në Kosovë kanë zbardhur dosjen përfundimtare të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, në të cilën avokatët kërkojnë shpalljen e tij të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Sipas dokumentit, i cili u dorëzua fillimisht në formë konfidenciale dhe më pas në version të redaktuar, mbrojtja kërkon nga trupi gjykues lirimin e menjëhershëm të Thaçit.

Avokati Luka Mišetić argumenton se dënimi maksimal që mund të jepet, nëse shpallet fajtor, nuk mund të kalojë 15 vite burg. Ai i referohet dispozitave kushtetuese të Kosovës, sipas të cilave dënimi nuk duhet të tejkalojë atë që ishte i parashikuar në kohën kur janë kryer veprat penale (1998–1999).

Mbrojtja kundërshton gjithashtu interpretimin e Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke argumentuar se kjo gjykatë nuk ka të drejtë të japë dënime më të rënda se ato të parashikuara nga legjislacioni vendor në kohën përkatëse.

Në dokument theksohet se duhet të merren parasysh edhe ligjet e kohës, përfshirë Kodin Penal të ish-Jugosllavisë, i cili parashikonte dënime nga 5 deri në 15 vite burg për veprat përkatëse.

Avokatët kanë paraqitur edhe një sërë faktorësh lehtësues, duke përmendur bashkëpunimin e Thaçit me prokurorinë, qëndrimin e tij gjatë procesit gjyqësor dhe rolin e tij në promovimin e bashkëjetesës paqësore pas luftës.

Në përfundim, mbrojtja insiston se rezultati i vetëm i drejtë është shpallja e pafajësisë, ndërsa çdo vendim tjetër duhet të respektojë kufijtë kushtetues të dënimit.

Ish-presidenti i Kosovës dhe bashkëpunëtorët e tij vijojnë të qëndrojnë në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related