Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë konferencës së fundit për mediat për këtë vit, duke deklaruar se viti i ardhshëm do të shënojë një përplasje të ashpër mes qeverisë dhe qytetarëve.
Berisha u shpreh se zhvillimet politike të muajve të fundit kanë nxjerrë në pah, sipas tij, mungesën e legjitimitetit të kryeministrit dhe se pakënaqësia qytetare po arrin kulmin. Ai theksoi se zemërimi popullor nuk mund të frenohet më dhe se do të përkthehet shumë shpejt në reagim të drejtpërdrejtë kundër qeverisë.
Sipas kryedemokratit, skandalet e njëpasnjëshme, aferat financiare dhe mënyra se si mazhoranca po sillet ndaj drejtësisë kanë krijuar një situatë të papranueshme për shoqërinë shqiptare. Berisha akuzoi qeverinë për vjedhje masive të fondeve publike dhe përpjekje për të zhvlerësuar institucionet e drejtësisë, duke e cilësuar këtë si një fyerje të rëndë për qytetarët.
Në mesazhin e tij, Berisha deklaroi se i garanton kryeministrit Rama se reagimi qytetar është i pashmangshëm dhe se do të vijë më shpejt nga sa pritet. Ai e përshkroi vitin e ardhshëm si një vit përballjeje, ku sipas tij shqiptarët do të kërkojnë llogari dhe ndryshim.
Në përfundim, Berisha uroi qytetarët për Vitin e Ri, duke bërë thirrje për forcë, guxim dhe energji për të nisur një vit që, sipas tij, duhet të shërbejë për çlirimin e vendit nga ajo që ai e cilësoi si një regjim i rrezikshëm për demokracinë.
