Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Derbyshire, në Britaninë e Madhe, ku një automjet ka përplasur disa këmbësorë, duke shkaktuar një viktimë dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas raportimeve paraprake, rreth 20 persona kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Ekipet e emergjencës kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke dhënë ndihmën e parë dhe transportuar të lënduarit drejt spitaleve.
Autoritetet britanike kanë bërë të ditur se shoferi, një burrë rreth 30 vjeç, është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe po merret në pyetje lidhur me rrethanat e aksidentit.
Policia theksoi se, pavarësisht natyrës së rëndë të incidentit, nuk ka indikacione për një rrezik të vazhdueshëm për publikun.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale apo një veprim të qëllimshëm.
