Në selinë e Partisë Demokratike është zhvilluar një takim mes kryetarit Sali Berisha dhe përfaqësuesve të partive aleate, me synimin për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar kundër qeverisë Rama.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë përfaqësues të Forumit të Dialogut Politik, Partisë së Lirisë, Partisë Republikane si dhe figura të tjera të spektrit opozitar. Qëllimi kryesor i mbledhjes ka qenë bashkërendimi i veprimeve politike dhe ndërtimi i një bashkëpunimi më të gjerë në funksion të ndryshimit politik.
Burime pranë takimit bëjnë me dije se diskutimet janë përqendruar te nevoja për unitet, protesta të mundshme dhe krijimi i kushteve për një garë të barabartë politike. Opozita synon të dalë me një qëndrim të përbashkët përballë asaj që e cilëson si keqqeverisje dhe kapje të institucioneve nga mazhoranca.
Takimi vjen pas kontakteve të zhvilluara edhe me lëvizje të reja politike, të cilat kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim, ndërsa disa subjekte të tjera mbeten ende të rezervuara.
