Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati i rëndë i ndodhur në Balldren, ku humbën jetën bashkëshortët Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, sulmi dyshohet të ketë qenë i mirëorganizuar dhe i planifikuar me kujdes. Në atentat janë përdorur dy automjete: njëra ka shërbyer për t’i prerë rrugën mjetit tip Audi ku udhëtonin viktimat, ndërsa automjeti i dytë është përdorur nga autorët për të kryer sulmin.
Mësohet se dy persona të armatosur kanë dalë nga makina dhe kanë hapur zjarr në drejtim të automjetit, duke qëlluar me mbi 30 plumba. Sulmi ka qenë i shpejtë dhe i koordinuar, pa i lënë asnjë mundësi reagimi çiftit.
Pas ekzekutimit, autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërsa forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli në zonë dhe vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet po fokusohen në zbardhjen e plotë të motiveve dhe dokumentimin e autorëve të përfshirë në këtë krim të rëndë.
