Detaje të reja janë zbuluar nga grabitja e një argjendarie në Kamëz, ku dy persona të maskuar arritën të marrin sende ari dhe argjendi dhe më pas të largohen nga vendngjarja.
Në kuadër të hetimeve, Policia e Shtetit ka marrë në pyetje edhe punonjësen e argjendarisë, e cila ka dhënë dëshminë e saj mbi momentin e grabitjes.
Sipas saj, nuk ka pasur përballje direkte me autorët, pasi në momentin kur ata hynë në dyqan ajo ndodhej në pjesën e pasme të banakut, në një nga ndarjet e brendshme të argjendarisë.
“Nuk kam pasur asnjë përballje me autorët në momentin e grabitjes. Isha në banak, por në pjesën e pasme të tij”, mësohet të ketë deklaruar ajo para hetuesve.
Ndërkohë, policia vijon analizimin e kamerave të sigurisë dhe verifikimin e provave të mbledhura në vendngjarje, ndërsa ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve.
