Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka mandatuar Glauk Konjufcën si mandatarin e radhës të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re. Megjithëse emri është ndryshuar nga kjo lëvizje, ish-opozita ka bërë të ditur se nuk do ta votojë as Konjufcën për formimin e qeverisë. Vetë Konjufca deklaroi para gazetarëve se, në rast të formimit të qeverisë së re, ajo do të jetë afatshkurtër, pasi sipas tij, Kosova duhet t’i miratojë disa projektligje të rëndësishme, si ai për buxhetin dhe ai për Planin e Rritjes nga Bashkimi Evropian. “Ideja është të krijojmë një qeveri të re për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe për të bashkëpunuar me partitë parlamentare, në mënyrë që Kosova ta ketë buxhetin për vitin 2026”, deklaroi Konjufca.
Megjithatë, edhe Konjufca po refuzohet nga ish-opozita për të pranuar pozitën e kryeministrit të vendit. Këto parti po kërkojnë që sa më shpejt të merret vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. “PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, ndërsa mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi. Kështu do t’u kthehej qytetarëve të Kosovës e drejta për të vendosur për drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’u dhënë legjitimitet institucioneve të reja”, thuhej në komunikatën e PDK-së të lëshuar të mërkurën. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca, duhet të konstatojë sa më parë se nuk ka shumicën. “LDK-ja bën thirrje për përgjegjshmëri. Sot, fatkeqësisht, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Konjufca duhet të jetë më i sinqertë se kryetari i tij”, u shpreh Abdixhiku.
