Partia Demokratike ka nisur turin e takimeve politike në kuadër të foltoreve me një aktivitet të zhvilluar në Njësinë nr. 9, ku drejtues të forcës opozitare dhe mbështetës të zonës diskutuan mbi situatën politike në vend dhe drejtimin e aksionit të tyre. Kreu i Forumit Rinor të PD-së, Besart Xhaferri, mbajti një fjalim të ashpër kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke i akuzuar për korrupsion, keqqeverisje dhe shkatërrim të standardeve demokratike.
Xhaferri e cilësoi Sali Berishën si figurën që do të udhëheqë “betejën e madhe” të opozitës, duke theksuar se sipas tij ish-kryeministri mbetet simbol frymëzimi për demokratët në përballjen me qeverinë aktuale. Ai u shpreh se misioni i opozitës është “çlirimi i vendit nga narkodiktatura”, një term që e përdori për të përshkruar administrimin e vendit nga mazhoranca.
Në vijim, Xhaferri iu referua edhe ngjarjeve në Bruksel, ku ish-shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, është raportuar se është arrestuar në kuadër të një hetimi mbi shkelje tenderash. Ai e përdori këtë rast si shembull të veprimit të drejtësisë në vendet demokratike:
“Edi Rama meriton të shkojë te shokët e tij dhe t’i bashkohet edhe shoqes së tij më të ngushtë, Federica Mogherinit, që u arrestua sot. Ky rast është mesazh për Gjykatën Kushtetuese: drejtësia duhet të veprojë njësoj në çdo vend.”
Kreu i FRPD akuzoi kabinetet qeveritare të të gjitha mandateve të Ramës për abuzim me fondet publike dhe shkelje të rënda të ligjit, duke krahasuar rastin e Ministrisë së Infrastrukturës me praktika të ndjekura në vende të ndryshme europiane ku zyrtarët janë arrestuar për vepra të ngjashme.
“Zgjedhjet e 11 majit ishin farsë”
Xhaferri u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit, të cilat i përshkroi si “farsë elektorale”. Ai tha se mazhoranca përdori administratën, burimet publike dhe presionin politik për të manipuluar rezultatin, duke shtuar se këto praktika kanë kontribuar në largimin e të rinjve dhe humbjen e besimit te proceset demokratike.
Sipas tij, opozita nuk është problemi, por “shërimi i halleve të shqiptarëve” dhe se PD-ja duhet të jetë e hapur, e organizuar dhe e bashkuar në misionin e saj politik.
“Ne nuk kemi qenë kurrë problemi. Ne jemi zgjidhja. Qeveria që ka 12 vite që vjedh nuk mund të na akuzojë ne për dështimet e veta.”
Thirrje për bashkim dhe aksion
Në mbyllje, Xhaferri theksoi se opozita duhet të ruajë unitetin dhe të mobilizohet në të gjithë vendin për t’i dhënë fund, siç e quajti ai, “narkodiktaturës së Ramës”. Ai deklaroi se PD-ja do të vazhdojë aksionin opozitar me qëllim kthimin e shpresës te qytetarët.
Takimi në Njësinë 9 shënon fillimin e një sërë aktivitetesh që Partia Demokratike ka paralajmëruar në të gjithë vendin, si pjesë e fazës së re të organizimit dhe mobilizimit politik.
