Piranjat publikuan disa pamje që i përkasin vjedhjes së një banese në një zonë periferike të Milanos ku dy grabitësit në aksion janë bashkatdhetarët tanë. Aksioni nis fillimisht nga njëri prej tyre, i cili pasi kacavirret në hekurat e dritareve të katit të parë dhe të dytë, arrin deri tek kamera e sigurisë, duke e zhvendosur në një pikë nga ku nuk mund të regjistrojë më asnjë lëvizje.
Më pas, i njëjti person shfaqet në brendësi të banesës, pa kuptuar se edhe ambientet aty janë të survejuar nga kamerat. Pasi i ka hapur derën bashkëpunëtorit, të dy së bashku i vihen menjëherë punës, duke bërë një kontroll të shpejtë rreth e përqark.
Nuk vonon shumë dhe dy hajdutët gjëjnë kasafortën, e cila është në një pikë të padukshme nga kamera e sigurisë. Edhe pse është mesnatë, ata nuk e kanë aspak problem të bëjnë zhurmë, dhe madje të përdorin një gur fleksibël në përpjekje për ta hapur. Me të përmbyllur me sukses aksionin, njëri prej tyre merr një këllëf jasteku në të cilin fut të gjitha gjërat me vlerë që kanë gjetur në shtëpi.
Pas gjithë kësaj pune që zgjat jo më shumë se 10 minuta, të dy shihen të zbresin qetë qetë shkallët, bashkë me sendet e vjedhura. Disa orë më vonë, pronari kthehet në shtëpi dhe përballet me befasinë. Ky është në fakt një nga mijëra rastet e vjedhjes së banesave në Itali, ku fatkeqësisht shqiptarët janë shpesh herë protagonistë.
Këtë e thonë edhe artikujt e shumë të mediave italiane, bazuar në raportet e policisë dhe karabinierëve, të cilët i klasifikojnë bandat e grabitësve shqiptarë si tepër aktive dhe të rrezikshme. Po pse janë kaq aktivë dhe të organizuar keqbërësit shqiptarë në qytetet më të mëdha italiane? Si operojnë dhe mbi të gjitha si arrijnë t’i shpetojnë policisë edhe pse siç e pamë nuk kujdesen aspak për të mos bërë zhurmë gjatë aksionit.
