Balliu në Foltore: “Mazhoranca është minorancë në vota, por mazhorancë në krim dhe korrupsion”

Data

Në takimin e radhës të Foltores së Partisë Demokratike në degën nr. 9 të Tiranës, deputeti Klevis Balliu akuzoi ashpër mazhorancën, duke e cilësuar “minorancë në vota, por mazhorancë në krim dhe korrupsion”. Balliu deklaroi se qeveria qëndron në pushtet falë manipulimit elektoral dhe abuzimit të pasurive publike.

Sipas tij, Partia Socialiste nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve, por është “e organizuar në grabitjen e fondeve publike dhe kapjen e shtetit”.

“Ata që sot quhen mazhorancë janë në fakt një minorancë, por janë mazhorancë në krim. Ata vjedhin votat dhe vjedhin paratë e qytetarëve,” tha ai përpara demokratëve të pranishëm.

Balliu u shpreh se përballja me qeverinë në Kuvend është e lehtë për demokratët “që nuk kanë vjedhur kurrë”, ndërsa theksoi se modeli i kapjes së shtetit dhe korrupsionit është bërë tashmë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare.

Ai akuzoi mazhorancën se ka krijuar “narko-shtetin e parë në Europë”, duke lidhur pjesë të kabinetit qeveritar me trafikun e drogës dhe afera të tjera korruptive.

“Demokratët shpëtuan pluralizmin”

Balliu përshëndeti qëndrueshmërinë e demokratëve ndër vite, veçanërisht në momentet e vështira të vitit 2021, që sipas tij ishte një përpjekje për goditjen e pluralizmit politik në vend.

“Askush nuk besonte se pluralizmi mund të shpëtohej në 2021-shin. U sulën për ta ekzekutuar Partinë Demokratike, por demokratët u bashkuan rreth liderit historik Sali Berisha dhe mbrojtën demokracinë,” theksoi ai.

Duke kritikuar sjelljen e përfaqësuesve të mazhorancës, Balliu tha se në kampin qeveritar nuk ekzistojnë vlera dhe parime politike, por “aksionerë në vjedhje”.

Ai shtoi se korrupsioni qeveritar është arsyeja kryesore pse qytetarët shqiptarë kanë më pak të ardhura krahasuar me qytetarët e Kosovës apo Maqedonisë së Veriut.

“Jam më krenar se kurrë që jam demokrat”

Në përfundim të fjalës së tij, Balliu u shpreh mirënjohës ndaj demokratëve të degës 9 për qëndresën e tyre në vite.

“Unë preferoj 100 mijë vjet në opozitë me ju, sesa një ditë në pushtet me hajdutë dhe kriminelë që vjedhin Shqipërinë,” deklaroi ai.

Ai shtoi se demokratët duhet të vazhdojnë të luftojnë për parime dhe për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, duke e cilësuar këtë një betejë politike me rëndësi historike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related