Shqiptari kapet me 120 kg kanabis dhe 230 km/h: Gjykatësja ironizon “postimet” e tij dhe dënon trafikantin me 3 vite burg

Data

Një 30-vjeçar shqiptar, i identifikuar si Majk, është dënuar nga gjykata korreksionale e Perpignan-it në Francë, pasi u kap duke transportuar rreth 120 kilogramë kanabis me makinë, me destinacion Italinë. Rasti ka marrë vëmendje të veçantë edhe për shkak të mënyrës si trafikanti ekspozohej në rrjetet sociale, duke publikuar video me shpejtësi ekstreme dhe me pakot e drogës në sediljen e pasme.

Majk u ndalua nga autoritetet franceze më 22 nëntor, në zonën e Ur, teksa udhëtonte me një automjet të pajisur me vend të fshehtë. Megjithatë, drogën ai e kishte vendosur hapur në pjesën e pasme, gjë që e bëri kontrollin të thjeshtë për policinë.

Para trupës gjykuese, i riu pretendoi se po vepronte i detyruar për të shlyer një borxh prej 30 mijë eurosh — para që, sipas tij, i kishte marrë për të ndërtuar shtëpinë. Ai deklaroi se trafikantët i zbrisnin 1.000 euro nga borxhi për çdo udhëtim, dhe se kishte kryer “disa” të tilla.

“Ju duket se e pëlqeni punën” – Ironia e gjykatëses

Kryetarja e trupit gjykues hodhi dyshime mbi versionin e të akuzuarit:

“Ju japin 30 mijë euro pa asnjë kontratë? E dinit shumë mirë si do ta shlyenit atë borxh. Me 1.000 euro për udhëtim, s’keni për ta mbaruar kurrë.”

Ajo vuri në dukje edhe postimet e tij në rrjetet sociale:

“Filmoni veten duke buzëqeshur me 230 km në orë dhe me ‘valixhet marokene’ prapa, pastaj i postoni. Për dikë që pretendon se është i terrorizuar nga trafikantët? Dhe, më falni, por kërkoni edhe rroba me figurën e Pablo Escobar-it.”

Majk këmbënguli se ishte futur në trafik vetëm më 12 nëntor, por gjykata i vuri në dispozicion provat nga telefoni i tij: një udhëtim më 20 tetor dhe të paktën pesë të tjera më pas, si dhe biseda që tregonin përfshirje në organizimin e “karvanëve” të drogës.

Vendimi i gjykatës

Pavarësisht pretendimeve të avokatit të tij, i cili këmbënguli se klienti ishte veprues i detyruar nga frika, trupa gjykuese vendosi të ndiqte kërkesën e prokurorisë.

Dënimet e shqiptuara:

  • 3 vite burg me vuajtje të menjëhershme
  • 5 vite ndalim hyrjeje në territorin francez
  • Konfiskim i automjetit
  • Gjobë doganore prej 238.000 euro

Rasti u raportua fillimisht nga gazeta franceze L’Indépendant, në shkrimin e gazetarit Michel Clementz.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related