Anëtari i Kryesisë dhe përfaqësuesi Ligjor i Partisë Demokratike zyrtare, që drejtohet nga Lulzim Basha, Rezart Kthupi i ftuar në një program televiziv foli mbi përçarjen mes demokratëve që vijon prej tre vitesh tashmë.
Ai theksoi se vendimi i gjykatës që pritet të jepet më 11 qershor, do t’i japë fund dhe debatit politik mbi vulën dhe siglat e PD-së.
Nga ana tjetër ai nënvizoi se pavarësisht se PD-ja që ai përfaqëson e ka refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e reformës zgjedhore, u shpreh se PD-ja i ka adresuar tashmë propozimet e saj për Kodin e Ri Zgjedhor.
“Partia Demokratike pas 11 qershorit do të kjetë një identitet politik që nuk do të ketë të bëjë më me dilema ligjore dhe ideore.
Propozimet që ne kemi bërë për reformën zgjedhore janë thjesht rekomandimet e adresuara nga OSBE/ODIHR-i që pikësëpari kanë të bëjnë me deformimin e votës së lirë përmes shit-blerjes së votës që u bë në vitin 2021.
Sistemi patronazhimit që kanë bërë këta është një sistem i mirëfilltë i deformimit të votës qoftë edhe për kontrollin dhe intimidimin e zgjedhësve.
Shqetësimi tjetër ka të bëjë me ditën e zgjedhjeve, dhe me atë çfarë me votën e lirë. Dhe ne kemi parë që votimi dhe numërimi elektronik është zgjidhja e kësaj çështjeje.
Ne do të shikojmë se çfarë do të ndodhë në atë tryezë të reformës zgjedhore dhe pastaj do të veprojmë”,
u shpreh ndër të tjera Rezart Kthupi.
